Tryezë e Rrumbullakët - 29 Prill 2025
Më datë 29.04.2025 u organizua në Fakultetin e Ekonomisë Tryeza e Rrumbullakët me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile. Aktiviteti u zhvillua në kuadër të projektit: “Përshtatja e Kurrikulave të Ekonomiksit të Mjedisit në kuadër të Kontekstit të BE-së”, i cili realizohet në kuadër të Programeve Jean Monnet (ERASMUS Jean Monnet LS Type I and II) me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Pjesë e këtij aktivitetin ishin 28 studentë krahas pjesëmarrësve të tjerë që përfaqësonin grupe të ndryshme interesi, si, pedagogë, kërkues dhe ekspertë mjedisi, duke krijuar një hapësirë bashkëpunuese ku u shkëmbyen ide dhe përvoja mbi sfidat mjedisore.
Gjatë sesionit, dy studente të lëndës “Ekonomiksi i Mjedisit”, Erla Sala dhe Dea Gjerkaj, prezantuan punimin e tyre me temë “Ndryshimet klimatike dhe pasojat ekonomiko-sociale të tyre”. Prezantimi u përqendrua në ndikimet afatgjata të ndryshimeve klimatike mbi ekonominë dhe shoqërinë, si dhe në nevojën për politika të qëndrueshme për t’u përballur me këto sfida.
Një moment i veçantë i aktivitetit ishte prezantimi nga Z. Olsi Nika, përfaqësues i EcoAlbania dhe fitues i Çmimit Goldman për Mjedisin. Ai mbajti një fjalë me temë “Mbrojtja e Lumit Vjosë”, ku foli për rëndësinë e ruajtjes së lumenjve të egër dhe, në veçanti, të lumit të Vjosës. Z. Nika ndau përvojën e fushatave ndërkombëtare që çuan në shpalljen e kësaj zone si Park Kombëtar, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit midis institucioneve, organizatave të shoqërisë civile dhe komunitetit lokal.
Studentët patën mundësi të angazhoheshin në diskutime interaktive me pjesëmarrësit e tjerë, duke paraqitur ide për investime të mundshme që do të sillnin përfitime jo vetëm ekonomike, por edhe mjedisore. Ata theksuan se pjesëmarrja në këtë tryezë ishte një përvojë e vlefshme për rritjen e ndërgjegjësimit dhe zhvillimin e aftësive profesionale në lidhje me çështjet mjedisore dhe potencialin e rigjelbërimit.
Kjo tryezë e rrumbullakët shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbim idesh, rritje kapacitetesh dhe ndërgjegjësim publik, duke përforcuar rolin e të rinjve si aktorë të rëndësishëm në nxitjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për mjedisin.
Tryezë e Rrumbullakët - 25 Prill 2024
Fakulteti i Ekonomisë organizoi më datë 25.04.2024 aktivitetin që bëri bashkë studentët, stafin akademikë dhë përfaqëues të biznesit. Të ftuar në aktivitet ishin përfaqësuesit e kompanisë Gjonaj Group Holdings, të cilët ndanë me studentët eksperiencën e tyre në fushën e investimeve në instrumentet financiare.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të projektit: "Përshtatja e Kurrikulave të Ekonomiksit të Mjedisit në kuadër të Kontekstit të BE-së", i cili realizohet në kuadër të Programit Erasmus+ (ERASMUS Jean Monnet LS Type I and II) me mbështetjen e Bashkimit Evropian.
Tryezë e Rrumbullakët - 12 Prill 2023
Fakulteti i Ekonomisë, më datë 12.04.2023, organizoi aktivitetin me temë "Rëndësia e energjisë së rinovueshme në Shqipëri" me pjesëmarrjen e ekspertëve nga ProCredit Bank Albania. Aktiviteti u zhvillua në kuadër të projektit: "Përshtatja e Kurrikulave të Ekonomiksit të Mjedisit në kuadër të Kontekstit të BE-së", i cili realizohet në kuadër të Programit Erasmus+ (ERASMUS Jean Monnet LS Type I and II) me mbështetjen e Bashkimit Evropian.
Gjatë aktivitetit u prezantua dhe u diskutua mbi mjedisin dhe ndryshimet mjedisore, duke venë theksin jo vetëm te sfidat mjedisore, por veçanërisht te mundësitë që rrjedhin nga ato. Z. Dorian Pashaj, Drejtues i Njësisë së Menaxhimit të Mjedisit pranë ProCredit Bank, në prezantimin e tij vuri theksin mbi rëndësinë e rritjes së investimeve në energjinë diellore, ndërmarrjen e masave nga individët dhe bizneset për investimet në efiçiencën e energjisë.
Për më tepër, dy prej studentëve të Fakultetit të Ekonomisë, të cilët zhvillojnë lëndën “Ekonomiksi i Mjedisit” ndanë me pjesëmarrësit prezantimet e tyre mbi ndryshimet klimatike dhe ekonominë qarkulluese.
Në përfundim të aktivitetit, të ftuarit dhe studentët i’u bashkuan koktejlit ku diskutuan dhe shprehen idetë e tyre. Studentët e kanë gjetur me rëndësi pjesëmarrjen e tyre në këtë organizim jo vetëm ndërgjegjësues mbi sfidat aktuale të mjedisit me të cilat përballet bota sot dhe mundësitë për një glob më të gjelbër, por edhe ndarës njohurish mbi mundësitë praktike për t’u përfshirë në tregun e punës, duke bërë bashkë sektorin banker dhe atë mjedisor.